07/01/1997
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

7 janar 1997

Grevat filluan. Studentët në rrugë

Sindikatat e Hajdarit paralizojnë Shkodrën, Lushnjën, Beratin dhe Vlorën faqe 2-3 Grevat filluan. Studentët në rrugë Hajdari: Së shpejti fillon greva pa afat. Në 10 Janar edhe pedagogët

Shqiptarët rigjejnë protestën

Disa dhjetra mijë shqiptarë kanë qenë dje grevistë. Punonjësit buxhetorë të sindikuar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura i janë përgjigjur në një masë të mirë thirrjes së liderëve sindikalistë. Edhe më mirë sesa pritej. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me një pjesë të konsiderueshme të studentëve në universitete, të cilët janë solidarizuar me kërkesat e Unionit të Pavarur Studentor. Burime të BSP flasin për një paralizim të sektorit shtetëror në masën 75%, ndërkohë që mediat shtetërore kanë pranuar se në disa fakultete në Tiranë nuk u zhvillua mësim. Mësohet gjithashtu se autoritetet kanë ndërhyrë për sabotimin e grevës në mjediset e studentëve. Shkodra, Lushnja, Tropoja, Gjirokastra, Burreli dhe Mallakastra janë bashkuar thuajse totalisht me thirrjet për të braktisur punën dhe shkollën. Më e dobët greva ka qenë në Tiranë, ku kanë lënë mësimin një pjesë e fakulteteve, ndërkohë që shërbimet publike kanë funksionuar të reduktuara. Megjithatë, organizatorët e grevës kanë që tani motive të mjaftueshme për të qenë entuziastë. Shqiptarët rigjejnë dje protestën ndaj qeverisë, duke provuar se egzistojnë mundësitë për t’u ngritur kundër padrejtësisë shtetërore. Greva e djeshme përbënte sfidën e parë ndaj PD pas dy zgjedhjeve, të cilat e përqëndruan më shumë se kurrë pushtetin në duart e saj. Me 20 tetorin, opozita u përjashtua krejtësisht nga përgjegjësitë në pushtetin lokal, i vetmi që nuk ishte ngjyrosur në blu deri atëherë. Kjo situatë e vuri edhe sindikatat përballë një pale të vetme, e cila kishte marrë me hir dhe pa hir përgjegjësinë për të qeverisur në të gjitha shkallët. Fillimi i vitit ’97, kur duket se asgjë nuk lëviz, kur gjithçka është varur në çengelin e fajdeve dhe kur llogaritë më shumë se kurrë bëhen në raport me pranverën e vitit 2000, ka fshehur megjithatë një surprizë të pakëndshme për PD dhe presidentin. Sindikatat dhe studentët kanë dalë nga “rreshti” duke guxuar t’i kërkojnë rritje pagash dhe kushte më të mira një klase politike drejtuese që ka kultivuar në këto katër vjet kulturën e shtypjes së protestës dhe që ka bërë shumë pak për të mundësuar egzistencën e një lëvizjeje sindikaliste serioze. BSPSH po mundohet të braktisë në këtë mënyrë një traditë të katërvjeçare kompromisi me demokratët, kurse studentët duket se po evokojnë një mision që në dhjetor ’90 u konsiderua i kryer një herë e përgjithmonë. Hajdari dhe studentët kanë mundur të hedhin dje në grevë njerëzit e tyre. Ata po mundohen të organizohen dhe dje treguan se janë duke e bërë mirë një gjë të tillë. Nëse greva e djeshme nuk rrezikon të sjellë gjë të tillë. Nëse greva e djeshme nuk rrezikon të sjellë ndonjë krizë qeveritare (në Shqipëri mungon veç të tjerash tradita dhe vullneti për ta bërë diçka të tillë), ajo ka pa dyshim vlerën e precedentit. Në këtë kuptim, greva punëtore-studentore i dha një shembull të gjithë atyre që mendojnë se pushteti aktual nuk është më i mirë, përfshirë opozitën e zhytur në gjumin e dimrit. Dhe në grevë kishte shumë më tepër njerëz sesa në sheshin kryesor të Tiranës më 28 maj. Ndofa kështu duhet filluar.

Sudja: Po s’erdhi kompetenti do të dal me ju në shesh

Foto: Reuters

KABËLLA Vims