15/04/1997
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

15 prill 1997

Gjendje e jashtëzakonshme në PD

Këshilli Kombëtar largon nga Kryesia e PD Koplikun, Shehin dhe Vrionin. Ky i fundit gjellohet në fytyrë 80 mijë vlonjatë presin Romano Prodin. “Alba” mbërrin me shpresë për shqiptarët Faqe 3,5

Europa me dy pamje

Berisha po, Berisha jo. Politika europiane duket e ngërthyer në dilemën më të re që ka sjellë kriza në të cilën ndodhet Shqipëria. Qëndrimi ndaj presidentit të vendit, i cili për katër vjet rresht ka qenë politikan më i preferuar i kancelarive të kontinentit të vjetër, është aktualisht nyja gordiane e politikës së vendeve të BE. Nga Boni në Romë, nga Parisi në Londër, qeveritë europërëndimore po shfaqin mjaft vështirësi në adoptimin e një pozicioni të ri ndaj kreut të shtetit shqiptar. Për to nuk ka qenë e lehtë të kalojnë nga përkrahja e hapur në qëndrimin neutral e pse jo në hedhjen poshtë të një lideri politik që tani në vendin e tij nuk e do më askush. Makina diplomatike europiane, si gjithmonë e ngadaltë dhe pedante, po i demonstron veçanërisht cilësitë e saj, kur flitet për të ndryshuar linjën ndaj regjimit të Tiranës, në krye të të cilit figura e Berishës ka qëndruar gjithmonë dominuese. Ngjitja e Berishës Ngritja e Berishës dhe e partisë së tij në politikën shqiptare është stimuluar fort nga faktori i jashtëm. Kjo nuk përbën më asnjë sekret për ata të cilët e njohin sadopak historinë tonë të re. SHBA dhe Europa i dhanë liderit të ri antikomunist përkrahjen më të plotë, duke e ricikluar të shkuarën e tij komuniste. Pas vitit 1992, opozita ka qenë e detyruar të dëgjojë kohë pas kohe refrenin e përsëritur të kancelarive perëndimore, se Berisha është e vetmja alternativë politike në vend. E sabotuar nga qëndrimi i pushtetit dhe e lënë mënjanë nga vëmendja e Perëndimit, opozita nuk është lodhur megjithatë së përsërituri se, duke përkrahur Berishën dhe PD, Perëndimi po bënte një gabim historik, rreth të cilit do të pendohej shpejt. 26 maj 1996, dita kur pushteti i presidentit u vu në diskutim, shënoi zhgënjimin e parë për miqtë e huaj të Berishës. Të majtë dhe të djathtë filluan ta shohin me dyshim “mrekullinë shqiptare” me dy shifra. Piramidat financiare, korrupsioni, kontrabanda dhe metodat autokratike të sundimit, qenë vetëm sfondi mbi të cilin u ndërtua mosbesimi i qeverive të huaja, ndër të cilat ajo amerikane që e para që dha sinjalet e mospajtimit. SHBA qenë të parat që e kuptuan se misioni i Berishës kishte marrë fund dhe se ai duhej të largohej, por duheshin të kalonin muaj përpara se këtë ta thoshte një zyrtar europian. Fassino, njëri ndër politikanët më të përmbajtur europianë në deklaratat ndaj kreut të shtetit shqiptar dëshmoi se dora e shtrirë e Europës është tërhequr dhe se rënia e Berishës është vetëm çështje kohe. Ajo që u konsiderua “gafë diplomatike” e tij, tregon në fakt humorin e keq të diplomacisë së BE ndaj presidentit. Por Perëndimit i duhet të tregohet i dyzuar në qëndrimin e tij zyrtar. Një protokoll i imponuar nga situata në Shqipëri, ka përcaktuar se Berisha do të jetë partner, qoftë edhe formalisht, deri në ditën e zhvillimit të zgjedhjeve. Kjo procedurë duket e shenjtë, për një vend ku qarkullojnë lirshëm rreth një milion armë. Por, e ardhmja e presidentit është tashmë e vendosur. Ai do të largohet nga skena dhe këtë e dinë mirë në Perëndim. Pritet vota e qershorit.

“Alba”: Sot, zbarkimi i madh

PD s’është demokratike

Flet Dashamir Shehi ish-anëtar i kryesisë së PD -A vlerësoni demokratike mbledhjen e djeshme? -Nëqoftëse do ta gjykojmë sipas normave që pretendon sot kryesia e sotme e PD në realitet nuk është. Nuk mund ta quajmë demokratike në një sallë mbledhjesh ku ekzistojnë presionet, ku ofendimet personale, biografike janë kusht kryesor dhe jo alternativa politike dhe debati i lirë. -Kjo ishte arsyeja që ju u larguat nga salla? -Ishte pikërisht kjo arsyeja sepse ne nuk shohim brenda këtij Këshilli Kombëtar mundësinë e një vazhdimi të një debati të lirë demokratik dhe jo alternativa e propozuar siç i kemi hasur ne. (Vijon në faqe2)

Fëmijë para një makine ushtarake italiane të misionit "Alba" Foto G.Shkullaku Fëmijë para një makine ushtarake italiane të misionit "Alba". Foto G.Shkullaku

Ngushëllim

Redaksia e gazetës "Koha Jonë" i shpreh ngushëllimet familjes së Përparim Sala, shofer i agjensisë së Transportit "Koha Jonë", i cili vdiq ditën e dielë në Qafë Muzinë të Sarandës. Ai humbi jetën pas një aksidenti automobilistik duke dërguar shtypin në qytetin e Sarandës.