27/05/1997
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

27 maj 1997

Ikën Berisha, mbërrin Garda

Opozita: “Higni shtetrrethimin, të hyjmë në zgjedhje”. Romë, ndihmat pas zgjedhjeve (Faqe 2, 3, 7)

Rradha e institucioneve

Ajo që ndodhi të dielën në territorin e Spitalit Ushtarak kapërcen çdo kufi fantazie dhe imagjinate sado të guximshme. Megjithatë, në Shqipërinë e Sali Berishës nuk ka asgjë të pamundshme. Vetë Berisha për të vënë në dukje mizoritë e ferrit komunist të E. Hoxhës, ka përsëritur vazhdimisht se “Shqipëria është një rast i veçantë”. Por me këtë, në një farë mënyre Berisha është treguar profet. Me të vërtetë që nuk ekziston asnjë vend në botë që të vidhën votat si në Shqipëri, askund në botë nuk ka një popull të armatosur dhe asnjë shtet nuk është shpërbërë ashtu si u shpërbë shteti-parti i Sali Berishës. Sulmi i së dielës nuk është i pari kundër bluzave të bardha, që në këto momente janë angazhuar si kurrë ndonjëherë në luftë me vdekjen për të shpëtuar jetë njerëzish. E keqja është se agresioni me armët e shtetit i një grupit të bashibozukëve të Gardës Presidenciale, ishte sulm i shtetit kundër një institucioni shtetëror, për më tepër ushtarak. Një gjë e tillë është e lidhur me karakterin e vetë Berishës dhe frymën e konfrontimit që ky ka inkjektuar në çdo qelizë të jetës shqiptare. Karakteri fundamentalist i vijës së tij politike i lidhur me dëshirën e ekzagjeruar, për të qëndruar me çdo kusht në pushtet, i pasqyruar në luftën e paprinciptë ndaj kundërshtarëve të tij politikë është në embrion të kaosit të tanishëm. Pasi ndau klasën politike shqiptare në fronte të ndryshme, pasi ndau pjesën më të madhe të partive, duke përfshirë edhe partinë e tij, nuk kishte si të mos i vinte rradha edhe vendit; “Jugu armik dhe Veriu me mua”, apo “një e treta komuniste dhe dy të tretat demokratë”. Akti i së dielës tregoi se tashmë ai ka arritur rradha edhe vetë shtetit për të vajuhtuar pasojat e politikës berishiane që sjell vetëm ndarje. Kështu, pak nga pak, kontrastet ndërmjet ministrave të Berishës me pjesën tjetër të kabinetit, zbritën në terren dhe, në mënyrën më të tmerrshme me përdorimin e forcës së armëve. Ndoshta, me këtë “blitz”, është dashur të vërtetohet ajo që shkruante gazeta e Berishës se “kur nuk ka dijeni sekretari socialisti i MPB-së, aksionet nuk dështojnë, siç kishte ndodhur dy ditë më parë në Cërrik”. Nuk dihet si do të shpjegojë Berisha koincidencën që ndërsa mercenarët e PD-së nën petkat e rek­rutëve të gardës sulmonin Spitalin Ushtarak, Berisha hidhte poshtë kërkesën e kryeministrit Fino dhe partive politike për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në rast se do të mungojë transparenca në trajtimin e operacionit mbi Spitalin Ushtarak, do të shtohen hijet e dyshimit mbi rolin e Berishës dhe njerëzve të tij lidhur me të. Më e pakta që mund të mendohet është se akti në fjalë mund të jetë një vazhdim i aksioneve që duke rritur pasigurinë në vend, të kontribuohet në mosmbajtjen e zgjedhjeve për të shkuar deri tek prova për një puç të armatosur kundër qeverisë Fino. KJ

Monarkia pritet me kallashnikov

Ministri i Mbrojtjes Shaqir Vukaj lë spitalin ushtarak pas incidentit të Gardës Presidenciale Foto Reuters

PD. hap fushatën Librazhd: Shehu, bombë në tavolinë

Faqe 7

Përsëri “Koha Jonë” mbetet 30 lekë

Megjithëse tarifat e shtypshkronjës “Demokracia” janë rritur, ndonëse taksat mbeten tepër të larta (shumica e gazetave të tjera nuk paguajnë asnjë taksë) Bordi i Menaxhimit të gazetës “Koha Jonë” vendosi: 1-Të pranjojë të ulet norma e fitimit deri në nivele minimale për gazetën, por të mos ngrihet çmimi i gazetës, në mënyrë që të mos preket lexuesi ynë nga rritja e parashikuar e çmimit. 2-Të shpërndahet çdo datë 2 të çdo muaji, 25 % e fitimit për llogari të gazetarëve të “Koha Jonë”. 3-Bordi i editorëve të shikojë mundësinë që të shtojë stafin e gazetarëve, pasi gazeta duhet të bëhet me 32 faqe, megjithëse numri i informacioneve është tepër i madh dhe një pjesë mbeten pa u botuar për numrin e vogël të faqeve të gazetës. Bordi i Menaxhimit do të shikojë mundësinë që çmimi i gazetës edhe me 32 faqe të mbetet përsëri 30 lekë.

Pas Cërrikut dhe Elbasanit një tjetër vizitë e Berishës pasohet me incident nga rojet e tij. Qeveria në mbledhje urgjente: Të gjenden fajtorët