Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

E Enjte 23 Tetor 1997

Berisha i pandreqshëm

Megjithë hamendësitë, PD-ja zgjodhi kryetar të saj Sali Berishën, duke konfirmuar edhe njëherë, se në Shqipëri një kryetar partie (ai që është zgjedhur i pari) zëvendësohet vetëm kur vdes. Po kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër, është periudha se kur u zgjodh Berisha. Ky është një moment tepër delikat, kur Perëndimi e ka kushtëzuar ndihmën për Shqipërinë me kërkesën pa ekuivoke: Do t'iu ndihmojmë vetëm nëse do të ketë frymë bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës! Por mosndryshimi i fytyrës së PD në kuvendin e saj të katërt, është një paralajmërim i sigurtë se bashkëpunim nuk do të ketë mes Nanos dhe Berishës. Deri tani Fatos Nano e ka dëgjuar Perëndimin. Ftesa, që ai i bëri Berishës për të shkuar të dy në Romë, u bë në thelbin e linjës së bashkëpunimit. Në këtë linjë Nano mund të bëjë shumë më tepër, por gjithçka vjen nga bashkëpunimi i rregullt pozitë-opozitë. Jo-ja e Berishës ndaj ftesës së Romës, deklarimi prej tij i zgjedhjeve të fundit si të parregullta, bojkotimi i Parlamentit, shfrytëzimi i incidentit Hajdari- Mazreku për të manifestuar në rrugë, dëshmojnë haptas se Berisha nuk do as bashkëpunim e as ndarje përgjegjësish me Nanon. Në thelb, gjithnjë i pandreqshëm, ai po synon ta lërë Shqipërinë pa ndihma dhe kështu të rrëzojë Nanon, jo vetëm nga piramida e shtetit, por edhe nga piramida e PS-së. Kjo lloj politike, po u luajt deri në fund, do thellojë kaosin dhe mjerimin tonë, pra ndaj Nano duhet të lëvizë shpejt. Ai duhet ta paralajmërojë Perëndimin se bashkëpunimi bëhet vetëm kur ke partner serioz dhe të kërkojë të analizohet qëndrimi i tij dhe ai i Berishës. Do të ishte çmenduri të diskriminohet e të lihet në mizerje një popull, vetëm pse nuk bindet lideri i opozitës! Nëse Berisha ka pretendime për qëndrimin e pozitës, le t'i thotë hapur, në mënyrë të faktuar, ç'qe edhe Nano, po ta ketë keqtrajtuar opozitën, të korrigjohet. Por akuza të tilla si “fytyra të vrara”, “komuniste”, “vrasës”, “hajdutë”, etj, shprehin jo vetëm vdekjen e bashkëpunimit, por edhe shkatërrimin e vetë opozitës. Prandaj, në këtë moment të zgjedhjes së tij, Berisha duhet e dëgjojë dhe të reflektojë. Përndryshe, PD-ja do të jetë katalizator i vetëm i thellimit të krizës sonë. Kjo e dyta duhet parandaluar nga Perëndimi sa më shpejt që të jetë e mundur. Vendimet e djeshme të Konferencës së Brukselit janë një sinjal shumë i mirë për të gjithë shqiptarët. TEODOR KEKO
Sali Berisha Fatos Nano Ardit Gjebrea Teodor Keko Aleksandër Meksi Shqipëri Romë Bruksel

Gati procesi për Nehat Kullën

Përfundojnë hetimet. Superdosja nga prokuroria në gjykatë I akuzuari i madh për vrasjen e dy vëllezërve policë Neziri, gjykim në mungesë. Kërkohet nga policia Nehat Kulla në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Faktit. Dje prokurorët e hetuesit e Prokurorisë së Tiranës, kanë bërë veprimet përfundimtare hetimore dhe shpejti dosja më delikate aktualisht në organin e akuzës, do të jetë për pak orë pronë e gjykatës. Kryeqytetasi i njohur, mbi të cilin rëndojnë akuzat e vrasjes në bashkëpunim të dy policëve dhe armëmbajtjes pa leje, do të gjykohet në mungesë. F 2
Neziri Pëllumbi Tiranë