16/09/2000
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Koha Jonë

16 shtator 2000

Nano në Tropojë dhe Berisha në Kukës

Kryetari i PD-së fshin Tropojën nga planet e fushatës Të martën, përplasja e madhe e dy liderëve në zonat problematike të Veriut faqe 3

Binjakët siamezë të dhunës

NGA FERDINAND XHAFERRI Dy partitë e mëdha pothuajse e kanë mbyllur ciklin e parë të kontaktit me militantët e tyre. Ndërkohë mund të thuhet se është krijuar lënda e nevojshme për të dhënë opinione për sa cilat janë efektet negative të fushatës dhe si mund të vijojë më tej ajo. Elementët më pikantë të evidentuar mund të sistemohen si më poshtë. Së pari, lidershipi politik i përcaktuar si binomi Nano-Berisha, ka përmbushur më së miri detyrimin e lënë nga Partia Mëmë. Pra, në pjesën më të madhe të bashkive dhe komunave është rivënë në punë dhe ka prodhuar kandidatë inkubator i vjetëruar i Partisë së Punës. Kuptohet se Nano ka pasur detyrimin më të madh, apo aspektin sasior, ndërsa Berisha, duke mbuluar Tiranën dhe vendet që Nano ka lënë vakant, mund të thuhet se ka zotëruar cilësinë e këtij procesi. Së dyti, vihet re fare qartë se gjithçka jo vetëm është marrë në dorë nga dy liderët kryesorë, por edhe se ata përsëri nuk kanë mënjanuar retorikat që nxisin dhunë dhe përgatisin tensione. Ndërsa Berisha ka ngelur brenda stilit të tij tradicional, e veçanta ka ndodhur me Nanon. Kanë mjaftuar vetëm 10 ditë fushatë për ta zeruar investimin gati 3-vjeçar të tij, për t’u paraqitur si i moderuar. Prezantimi në këtë fushatë ka provuar katërcipërisht se gjithçka paska qenë false. Pra, z. Nano ka mbetur po ai përsa i takon aleancës me konfliktualitetin, por me të vetmin ndryshim nga Berisha, se në situata të qeta i punon më mirë sistemi i vetëfrenimit të fjalorit që emeton dhunë. Bazuar nga sa më lart, mund të ndërtohen opinionet se si do të avancojë kjo fushatë. Atmosfera e krijuar duket se do ta rrisë ndjeshëm përqindjen e abstenimit. Megjithëse Nano dhe Berisha nuk hezitojnë asnjë ditë për t’i ftuar zgjedhësit për të votuar, agresiviteti i tyre politik është një nga arsyet kryesore për të qëndruar larg kutive të votimit. Gjithashtu, dominimi i fushatës nga dy të mëdhenjtë nuk po krijon hapësira për të luajtur partitë e vogla. Në konditat e një fushate normale, nisur nga e shkuara dhe e tashmja e dy partive të mëdha, do të kishte mundësi që E Djathta e Bashkuar, Republikanët apo Aleanca Demokratike të pretendonin pjesë të konsiderueshme të tortës elektorale. Por dallimet shurdhuese të dy të mëdhenjve nuk lënë hapësirë për t’u asimiluar nga zgjedhësit meloditë deri-diku simpatike të partive të vogla. Pra, të vegjlit duket se do të mbeten në mënyrë të pamerituar po të vegjël, në të njëjtat kuota si më parë. Së fundmi, por më e rëndësishmja është se linja e dhunës, që po mundohet të përçojë binomi, nuk mendohet të ketë sukses. Përfundimisht duhet sqaruar se nuk kemi të bëjmë me konflikt mes Nanos dhe Berishës, por me politikë të tyre të përbashkët për të prodhuar tension. Kjo lloj politike i ka dëmtuar jo pak shqiptarët, sikurse ka qenë një leksion rraskapitës për t’i mësuar që të mos përsërdoren. Pra, këtë radhë humbësit e vetëm, në qoftë se do të vazhdojnë në këtë rrugë, do të jenë vetëm dhe vetëm Nano dhe Berisha. Ata me sjelljen e tyre politike po djegin edhe shansin e fundit të fundit, për të ngelur normalisht në politikë. Mbajmë në konsideratë se koha dhe sfidat që presin Shqipërinë dhe Rajonin po kthejnë gjithçka. E ardhmja, jo vetëm që nuk do të pranojë, por edhe nuk do të tolerojë më politikanë që thonë se janë faktor, vetëm nën presionin e destabilizimit.

Rama: Mustafaj po më imiton

faqe 4

Nano dhe Rama dje në takimin e QNK-së Foto: P. ILO Nano dhe Rama dje në takimin e QNK-së. Foto: P. ILO

Policët e Kosenit, terror qytetarëve

Rrihen barbarisht, përfundojnë në spital faqe 9