20 tetori - provë e besnikërisë ndaj qytetërimit perëndimor
Presidenti fton në mijëra banorë të Kuçovës, Beratit, Urës Vajgurore dhe Lushnjës
Ata që mbi bazën e një doktrine barbaro-orientale kanë për ide e synim shpartallimin e opozitës me organizatë diversive, eliminimin fizik e gjenocid, janë të organizuar, por ata që janë mbi të gjitha pjesëtarë dinjitozë e qytetarë të një Shqipërie qytetare e me orientim drejt Perëndimit, janë gjithashtu të organizuar.
Vota e 20 tetorit të jetë një votë për demokracinë e stabilitetin, e bokimin numerik e moral të atyre që paraqesin rrezik për vlerat e lirisë dhe prosperitetin e Shqipërisë.
Populli me Udhëheqjen e PDSH mundon dhe zbaton, nëpërmjet shumicës së të zgjedhurve në Parlament, më shumë se 16 muajt e fundit një reformë të qëndrueshme e me sukses. Në 20 tetor ne do të marshojmë në të njëjtin drejtim, siç bëmë edhe më 26 maj. Qytetarë të çdo shtrese e me të gjitha bindjet politike, mbështetës të ekonomisë së tregut e të pronës private, familje, të rinj e studentë, intelektualë e punëtorë, fermerë e sipërmarrës, të gjithë e kanë vendin nën flamujt e PD-së e të fitores së 20 tetorit. Atyre që kërkojnë të trembin e demoralizojnë i u duhet bërë e qartë se numri i atyre që besojnë se sukseset e deritanishme të demokracisë janë vetëm nisja për një jetë e liri më të madhe, është i madh. Është koha për të numëruar me kokë e pa humbur gjakftohtësinë se nga cila forcë politike vijnë investimet, pensionet, punët, shkollat, dritat dhe rrugët, dhe nëse në zonat ku manipulojnë pseudo-sindikatat apo organizatat e tjera antifetare [?] e antiqytetare ka më shumë punë apo mbyllje e shkatërrim vendi pune. Nëse një forcë ka moral për të kërkuar edhe një herë mbështetjen tuaj, kjo është PD-ja. 20 tetori është dita e fitores së saj dhe e suksesit tuaj më të madh.
Nuk ka rëndësi se sa janë me emër e sa pa emër ata që i sulen qytetarit me pretendimin për t’i dhënë një mendim politik apo t’i vënë në zbatim mendime të mësuara përmendësh. E rëndësishme është se jo të gjithë janë të lirë në mendim e jo të gjithë i shërbejnë vullnetit të lirë të qytetarëve. Propaganda ekstremiste e mbushur me presion, shpifje e trillime është provë e qartë se në 20 tetor mund të votojnë denjësisht mijëra e mijëra socialistë, sepse socializmi i ka braktisur e po i përdor si mish për top. Shprehja që i takon më së miri kundërshtarëve që praktikojnë dhunën, mitingjet me dajre e gjyqelet e organizuara, është që “me babanë nuk bohet pazar”, sepse janë po ata që kanë vjellë mbi xhaketat e të rrahurit e të lidhurit duart, ata që kanë sharë me themel e përmbysur bazat morale të njerëzve të thjeshtë dhe të ndërgjegjshëm. Në 20 tetor ata duan të jenë sërish në krye të vendit e të bëjnë prova me zjarr e me gjak.
Presioni nga lart, predikimi i urrejtjes, gjuha e konfliktit, presioni individual e i organizuar, sjellja në rresht e një pjese të administratës dhe e një pjese tjetër të mediave, nxitja e mosbindjes politike dhe civile janë shfaqje që s’duhen marrë lehtë. Shqipëria e 20 tetorit është në provë. Duhet të votojmë mirë, jo për ta. E ardhmja e shqiptarëve që duan vendin e tyre e që duan një familje evropiane, nuk mund të varet nga intrigantë ordinerë që dalin para secilit me të njëjtin mesazh: “Me ne kurrë nuk do të humbasësh!”
Përgjigjja duhet të jetë: “Po ju me çfarë të drejte kërcënoni me humbje?” Kjo është pyetja që duhet t’u bëjë çdo qytetar i lirë më 20 tetor.
Berat: Më 20 tetor provoni se do të qeverisni në vendlindjen tuaj
Berati është vendi i tolerancës e i solidaritetit, është me një solidarizim të fortë të mbarë popullatës me ecurinë e reformave. Më 20 tetor banorët e qarkut të Beratit e të Skraparit do t’u provojnë kundërshtarëve se i përkasin qytetërimit perëndimor dhe se mendojnë e veprojnë si shqiptarë dinjitozë dhe njerëz të lirë. Prefekti i Beratit, z. Milto Bardhi, u shpreh se qytetarët e Beratit do t’u japin përgjigjen e merituar histerive të kundërshtarëve, shmangies në drejtim të protestave pa kuptim, vënies në shërbim të qarqeve ekstremiste dhe sindikatave politike. Sipas tij, Berati është në solidaritet të plotë me ata që mendojnë se qytetërimi perëndimor është i vetmi drejtim i Shqipërisë dhe vendi i protestuesve antireformë nuk është Shqipëria.
Berati ka votuar gjithnjë për paqe e jo për dhunë, ka refuzuar politikanët aventurierë që duan ta ngrenë forcën politike në sajë të destabilizimit. Qytetarët beratas u shprehën për “RD” se ata do t’u japin vendin e merituar propagandistëve politikë që e quajnë ditë zie fitoren e shqiptarëve në 26 maj dhe përdhosjen e flamurit kombëtar e të figurës së Skënderbeut në emër të aventurës politike. Berati tha “Jo” edhe ndaj insistimit të kërkesës për bojkot dhe “jo” edhe për deputetin që u shpreh se në 26 maj ishte “ditë zie”.
Kuçovë: Nuk kemi më kohë për të humbur
Kuçova, qendër e njohur industriale e Shqipërisë, e ka përkrahur me vendosmëri qeverinë e stabilitetit dhe luftën e saj kundër ekstremizmit. Vota e 20 tetorit është me rëndësi edhe për qytetarët e këtushëm dhe për të gjithë shqiptarët. Nënprefekti i Kuçovës, z. Arian Dema, tha se “në 20 tetor kuçovarët do të jenë të vendosur për të mbështetur zhvillimin normal demokratik dhe të reformave në vend”. “Qeveria e koalicionit me frymë të djathtë ka drejtuar me sukses proceset demokratike dhe ekonominë e tregut. Vota e 20 tetorit do të shërbejë për të provuar se Shqipëria do të integrohet më shpejt në Evropë, duke bllokuar me votë e me moral aventurierët me ide destruktive”, u shpreh z. Dema. Ndërkaq kuçovarët deklaruan për “RD” se vota e 20 tetorit për demokracinë është e vetmja alternativë drejt së ardhmes dhe se aventurat e treguara nga disa forca janë të dëmshme për mbarë vendin. Sipas tyre, fjala e protestuesve që nuk njohin ligjin e vullnetin e qytetarëve nuk ka vend në një shoqëri të emancipuar e në zhvillim.
Lushnjë: Lëvizjet destabilizuese e denigruese janë në shërbim të së keqes
Lushnja dhe i gjithë qarku i saj është me një solidaritet të pakursyer me ecurinë e reformës e me shumicën parlamentare. Nënprefekti i Lushnjës, z. Mhill Shamata, tha se “votuesit e qarkut të Lushnjës janë të vendosur t’i mbështesin me votë forcat e koalicionit qeverisës e të pengojnë aventurierët e politikës të përdhosin me protesta antidemokratike klimën e qytetëruar politike. Më 20 tetor do të ketë një votë masive për stabilitetin dhe qeverisjen e reformave, pasi qytetarët e Lushnjës janë të vendosur t’i japin përgjigjen e duhur provokatorëve”. “Nuk kemi kohë për të humbur me ata që manipulojnë shpirtrat e njerëzve dhe përdhosin vlerat e shtrenjta morale e kombëtare. I refuzuam në 26 maj dhe do t’i refuzojmë sërisht”, u shprehën banorët e Lushnjës për të dërguarit e “RD”-së.