Përballë diversionit
Nënvizojmë
Partisë Socialiste që nga themelimi i saj e në vazhdim i është dashur të ballafaqohet jo vetëm me dhunën dhe represionin, jo vetëm me burgosjet politike dhe persekutimet sistematike por edhe me diversionin, shpifjet, sajesat dhe gjithfarëlloj kurthesh propagandistike.
Regjimi dhe makina e tij propagandistike e vënë tërësisht nën urdhrat politikë të partisë në pushtet, nuk i ka rreshtuar sulmet diversive me të vetmin synim: çoroditjen, fraksionimin, përçarjen dhe shkatërrimin e PS, ç’ka do të thotë shkatërrimin i pluralizmit në Shqipëri.
Pas zgjedhjeve për në organet e pushtetit lokal më 20 tetor ku, me të drejtë Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i Partisë Socialiste inicioi një analizë të gjerë në tërë masën e partisë, sulmet diversive nga ana e pushtetit u bënë edhe më të sofistikuara, edhe më intensive. Për këtë shfrytëzohet dëshpërimi i njerëzve, humbja e besimit të tyre ndaj votës së lirë dhe gjendja e krijuar në vetë PS.
Mirëpo çfarë ndodh? Kur socialistët duhet të jenë më kompaktë se kurrë, kur ata duhet të dinë të dallojnë gjuhën diversive, jo rrallë bien pre e saj, e madje edhe e amplifikojnë atë. Kështu për shembull fillët dikush sikur gjoja Komiteti Drejtues i PS të Tiranës ka nisur mbledhjen e firmave për një mocion votbesimi ndaj kryesisë së PSSH. Megjithëse vetë kryetari i PS të Tiranës Musa Ulqini e ka përgënjeshtruar këtë thashethem, dalin disa socialistë që pyesin, a është e vërtetë se po mblidhen firma për një peticion etj. etj, kur ata duhet të jenë të parët jo vetëm për ta përgënjeshtruar thashethemin, por edhe për të sqaruar dhe bindur masën e partisë për paqartësitë që mund të jenë shqetësim. Po kështu flet dikush “me kompetencë” se në një kafene të Tiranës ka parë X-ish drejtues të PS apo Y- drejtues të PS me Azem Hajdarin, dhe menjëherë vrapojnë disa socialistë nga ata që militanzanin e tregojnë vetëm nëpërmjet në debat kafene(sh), për të gjetur agjentin e SHIK-ut apo të Berishës në radhët e PS-së.
Raste të tilla nuk janë të pakta dhe për t’u anashkaluar. Pushteti jo vetëm që nuk lodhet tërhiqet nga loja e tij e diversionit me PS, (aq më tepër kur e sheh se ka rastet që dështojnë me sukses pasi thashethemi zë rënjë), por do të bëhet edhe më agresiv. Prandaj duhet të dimë të orientohemi, duhet të dimë të sqarojmë veten dhe njerëzit që të mos e marrim mirëqenë gjithçka që na serviret, duhet të kemi dhe shumë respekt për punën e njëri-tjetrit, aq më tepër kur ajo përgatitet nga segmente të komprometuara të pushtetit, për të mos rënë në lojërat e tij, por të dimë të kapërcejmë situatën e krijuar pas zgjedhjeve në koalicionin e solidaritetit.