Zhurmë pa bazë e gazetës “Koha Jonë”
-Sqarrim në lidhje me kontratat e shpërndarjes së gazetës
Gjithçka shkruante dje gazeta “Koha Jonë” me emrin e E. Barçit për marrëveshje ekonomike mes “Zërit të Popullit” dhe gazetës presidenciale “Albania”, është e pavërtetë. Në lidhje me kontratat e lidhura nga “Zëri i Popullit” për shpërndarjen e gazetës për vitin 1997, sqarojmë lexuesin, se ato janë nënshkruar pas përgjigjes deri më 31 dhjetor nga ana e drejtuesve të agjensisë së shpërndarjes së shtypit “Koha Jonë”, me të cilën kemi qenë në marrëdhënie kontraktuale gjatë vitit 1996. Pas shkatërrimit prej shtetit të ndërmarrjes shtetërore të shpërndarjes së shtypit dhe të gjendur përballë vështirësive të mëdha për shpërndarjen e gazetës në rrethe, kemi nënshkruar në fillim të vitit të kaluar një kontratë me agjensinë “Koha Jonë”, e cila për hir të së vërtetës duhet thënë se na ofroi tarifa të leverdishme transporti (0.4 lekë për çdo gazetë të transportuar). Mirëpo, kjo nuk zgjati shumë, pasi pas dy muajsh, “Koha Jonë” në mënyrë të njëanshme i dyfishoi tarifat dhe tre muaj më vonë na imponoi tarifa tri herë më të larta se tarifa fillestare. Megjithatë dhe pavarësisht nga rritja e njëanshme të tarifave të transportit nga ana e agjensisë “Koha Jonë”, në fillim të muajit dhjetor (kur bëhet lidhja e kontratave për vitin pasardhës) na u propozuan tarifa 7.5 herë më të larta në krahasim me kohën kur nisi bashkëpunimi, praktikisht të përballueshme jo vetëm nga “Zëri i Popullit”, por nga çdo gazetë në Shqipëri. Mirëpo edhe pas kësaj, ne nuk u shkëputëm nga “Koha Jonë”, por insistuam vazhdimisht për gjetjen e një tarife të pranueshme nga të dy palët, deri sa arritëm të biem dakord për 1.3 lekë për copë gazetë të transportuar. Mbi këtë bazë nënshkruam kontratat dhe ia dërguam agjensisë “Koha Jonë” që më 5.12.1996, por që nuk u pranuan dhe nuk u nënshkruan nga ana e pronarit N.Lesi, i cili e rriti tarifën në 2 lekë për copë. Sigurisht që ne nuk ramë dakord me një vlerë të tillë, por pritëm përgjigjen gjithnjë pa u shkëputur deri më 31 dhjetor 1996. Dhe si përfundim, asgjë. Në kushtet kur po përfundonte viti dhe kur duheshin lidhur kontratat për vitin 1997, ne nuk mund të prisnim N.Lesin, ashtu siç nuk e pritën atë as gazetat e tjera. Në këtë kohë na u ofrua agjensia “Albania Press” me tarifa dy herë më të lira, me të cilën nuk kemi lidhur kontratë ekskluzive, por vetëm për 18 për qind të tirazhit aktual të “Zërit të Popullit”. Pjesën tjetër të gazetës, “Zëri i Popullit” e shpërndan me mjetet e veta, dhe sa për dijeni të lexuesit në dy linjat (konkretisht Tiranë-Vlorë dhe Tiranë - Skrapar, ku përfshihen të gjitha qendrat urbane ndërmjet) shpërndajmë jo vetëm “Zërin e Popullit”, por edhe 15 gazetat e tjera të përditshme apo periodike, përfshirë këtu edhe “Gazetën Shqiptare”, “Dita Informacion”, “Intervista”, “Albania”, “Rilindja”, “Sporti”, etj. Pa dashur të futemi në anën emocionale dhe politike të përmbajtjes së shkrimit të djeshëm në “Koha Jonë”, pa dashur të hymë as në biografinë e njërës gazetë apo tjetrës, sqarojmë lexuesin se ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të hapur për çdo lloj bashkëpunimi reciprok me “Koha Jonë”, pa marrë parasysh borxhet e shterret, apo detyrimet që ajo ka brenda vetes. Ekonomia e tregut në të cilën kanë hyrë tashmë gazetat, ka si parim kryesor ligjet e kërkesës dhe ofertës. Kjo do të thotë se nuk ka aspak vend, as për aludime dhe as për xhelozira që burojnë nga etja për monopol në shpërndarjen e shtypit. “Koha Jonë” është e mirëpritur nga ana jonë për diskutim mbi bazën e tarifave konkurruese, ashtu sikundër ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë asaj transportin në linjat ku kemi të instaluara mjetet tona, duke i garantuar korrektësi dhe seriozitetin më të madh. Prandaj, zhurma që bëhet për “kontratë bashkëpunimi ekonomik” pabazë, aq më tepër që drejtohet kundër kryesisë së PSSh-së, e cila nuk ka asnjë kompetencë për të ndërhyrë në shpërndarjen e gazetës. Sektori ekonomik i gazetës “Zëri i Popullit”