03/04/1997
Original newspaper scan
scroll · drag · double-click

Zëri i Popullit

3 prill 1997

PSSh do të marrë pjesë në Parlament

Mbledhje e KPD të PSSH: Pjekuri politike, angazhim real për të mbështetur hapat e mëtejshëm për daljen nga kriza Mbështetje për programin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar për të realizuar zgjedhje të lira të drejta e të barabarta brenda muajit qershor 1997 Nga 83 të pranishëm në mbledhje, 66 votuan pro pjesëmarrjes në Parlament, 9 kundër dhe 8 vetë abstenuan PSSh do të marrë pjesë në Parlament. “...ne zgjodhëm alternativën e pjesëmarrjes, sepse në programin dhe në filozofinë tonë politike, themeli është ai përfshirjes, i bashkëjetesës, i dialogut dhe i konkurencës luajale politike, në vend të apartejdit, të përjashtimit, të armiqësisë që çon në likujdimin e kundërshtarëve apo në nxjerrjen jashtë ligjit të tyre...” Komiteti i Përgjithshëm Drejtues, në mbledhjen e tij të datës 2 Prill 1997, pasi analizoi gjendjen aktuale politike dhe veprimet e deritanishme të kryesisë së PSSH, midis të tjerash, vendosi që: - Të miratohen veprimet politike të Kryesisë së PSSH në aktivitetin politik me partitë e Forumit për Demokraci, në Tavolinën e Rrumbullakët të 10 partive për miratimin e Marrëveshjes së 9 Marsit. - Të vazhdojë në mënyrë të palëkundur përkrahjen e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të kryesuar nga Kryeministri socialist Bashkim Fino. - Pjesëmarrja e PS në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar të bashkëshoqërohet me pjesëmarrjen e saj në parlament, vetëm për të mbështetur programin e kësaj qeverie dhe për të realizuar zgjedhjet e lira, të drejta e të barabarta brenda muajit qershor 1997. Lexoni në faqet 2, 3

Kryetari i PSSH-së Fatos Nano i përgjigjet letërës së Kryetarit të PD Tritan Shehu

Kryetari i Partisë Demokratike, zotit Tritan Shehu I nderuar zotit Kryetar, E mora letrën tuaj. Bashkëkom plotësisht me mendimin tuaj që e konsideroni Marrëveshjen e 9 Marsit 1997 “Si zgjidhjen më të mirë politike në vend”. Ky ka qenë dhe është qëndrimi konstant i PSSH, i cili në krizën politike dhe ekonomike në vend, Qeverinë e Pajtimit Kombëtar e shikon si të vetmen mundësi për të realizuar stabilitetin e vendit dhe përgatitjen e zgjedhjeve të reja në Qershor 1997. Çdo akt që do të shënonte sabotimin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar mbart përgjegjësitë përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat duhet të qëndrojnë mbi çdo “alarm” ndaj proceseve paqësore dialoguese që po zhvillohen në Shqipëri. Shpresoj në mirëkuptimin tuaj ashtu si në ditën e miratimit nga parlamenti të Marrëveshjes së 9 Marsit. Me respekt Kryetari Fatos Nano Tiranë më 2.4.1997

Kryetari i PD-së Tritan Shehu i shkruan Kryetarit të PSSH Fatos Nano

Kryetari i Partisë Socialiste, zotit Fatos Nano I nderuar zoti kryetar! Duke rikonfirmuar mbështetjen plotë të PD-së për marrëveshjen e 9 Marsit 1997 si zgjidhja më e mirë politike në vend, ju bëjmë edhe një herë të ditur shqetësimin tonë serioz për çdo deklaratë nga kjo marrëveshje. PD e shikon me shqetësim të madh deklaratën e nënshkruar në Vlorë nga PS me komitetet e armatosura që ushtrojnë veprimtari antikushtetuese. Partia Demokratike tek marrëveshja e Vlorës, më 29 mars 1997, shikon minimin e plotë nga ana e partisë suaj të marrëveshjes së 9 marsit 1997, që do të çojë në thellimin e pashmangshëm të krizës në vend. Në emër të Partisë Demokratike, ju kërkoj edhe një herë që PS të shprehë publikisht dënimin dhe distancimin nga marrëveshja e 29 marsit në Vlorë si të vetmen mundësi për të siguruar vazhdimësinë e platformës politike të 9 marsit 1997. Në të kundërt ne gjykojmë se PS do të mbajë mbi vete të gjitha pasojat negative që rrjedhin nga shkelja e marrëveshjes së 9 marsit 1997. Me respekt Kryetari Dr. Tritan Shehu Tiranë më 1.4.1997

Kryeministri Fino takohet me kryeministrin Italian

GJIROKASTËR Kryeministri Fino takohet me kryeministrin Italian Pas bisedimeve me Prodin, Kryeministri shqiptar u nis për në Greqi i ftuar nga Kryeministri Simitis Në Athinë ai do të takohet edhe me ish kancelarin austriak Franc Vranicki, i ngarkuari special i OSBE-së për Shqipërinë Dje në mengjes Kryeministri italian Romano Prodi, ka mbërritur në Gjirokastër për të realizuar një takim urgjent me homologun e tij shqiptar, zotin Bashkim Fino. Kryeministri italian mbërriti në aeroportin e Gjirokastrës në orën 8.40 minuta i shoqëruar nga një eskortë mbrojtëse. Në aeroport, zoti Prodi u prit nga Kryetari i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar Bashkim Fino. Më pas të dy kryeministrat zhvilluan bisedime kokë më kokë për 25 minuta në bashkinë e qytetit. Pas takimit, zoti Prodi deklaroi BBC: “E zhvilluam këtë takim për të lluar nivelin e marrëdhënieve tona. Bashkëpunimi ynë, pas kësaj mes dy vendeve do të rritet edhe më shumë. Incidente të tilla (duke iu referuar incidentit tragjik të Otrantos) nuk duhet të ndodhin. “Ishte një fatkeqësi”. Ndërsa kryeministri shqiptar Bashkim Fino, u shpreh se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë janë të hapura, miqësore. Kryeministri shqiptar i ka kërkuar qeverisë së Prodit ngritjen e një grupi të përbashkët hetimor për të nxjerrë të vërtetën mbi incidentin tragjik të Otrantos, kërkesë që është pranuar nga Prodi. Po kështu, (Vijon në faqen 8)