Bashkim i së majtës shqiptare
NENVIZOJME
Partitë e majta shqiptare vendosën të hyjnë në zgjedhjet parlamentare të 29 qershorit me një aleancë të përbashkët për bashkëpunim para dhe paszgjedhor.
Fryti i kësaj aleance është veçanërisht Marrëveshja politike e nënshkruar midis PSSH dhe PSD për zgjedhjet e reja parlamentare. Kjo është një ngjarje e rëndësishme në jetën politike shqiptare, që shfaqet për herë të parë si e tillë dhe që përbën një nismë me vlera historike për të majtën shqiptare. Aleancat dhe kualicionet para dhe paszgjedhore janë fenomene të njohura në periudha të tilla zgjedhjesh, midis forcave politike me programe të përafërta të spektrit politik. Kjo është një përvojë e mirënjohur në jetën politike të vendeve të zhvilluara demokratike. Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Itali ishte koalicioni i Ullirit i drejtuar nga Romano Prodi që bashkonte disa parti të majta dhe të qendrës që fitoi zgjedhjet dhe drejton sot pushtetin në atë vend. Ndërsa rasti më i freskët është koalicioni i së majtës së Francë, ku Partia Socialiste së bashku me komunistët dhe të gjelbërit fitoi zgjedhjet dhe formoi qeverinë e re franceze. Bashkëpunimi midis forcave politike të të njëjtit spektër është bërë tashmë i njohur edhe në vendin tonë. Me i dukshëm ishte ky bashkëpunim në fushatën e Referendumit të 6 Nëntorit, ku përballë PD-së dhe Berishës u vendosën një numur i madh i partive të opozitës. Këto parti opozitare i bashkoi në të njëjtin qëndrim kundër PD-së dhe Berishës, kundërshtimi i tyre ndaj një referendumi antikushtetues që ndan një kushtetutë autokratike. Vlerat e kësaj aleance të pashpallur u dukën në rezultatet e Referendumit. Boshtin qendror të kësaj aleance e përbënte Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate, të cilat dolën në fushatë me thirrjen për të votuar kundër kushtetutës së paligjshme antidemokratike. Përvoja e bashkëpunimit ndërpartiak të kurorëzuar në Referendum u vu në bazë të bashkëpunimit edhe në zgjedhjet e 26 majit të vitit të kaluar. Në atë zgjedhje bashkëpunimi i PS u shtri me parti të tilla si PSD, PAD, PUK, PA etj. Ndërsa Forumi për Demokraci i krijuar në fillim të këtij viti ishte shkalla më e lartë e bashkëpunimit elektoral në një moment të tillë krize në të cilën ndodhej Shqipëria. Këtë aleancë e tanishme e PSSH me PSD e disa parti të tjera të spektrit të majtë nuk ka lindur mbi një terren të pa shkelur. Ajo ka një zanafillë tradicionale, qoftë edhe në kushtet e demokracisë së re shqiptare. E reja e bashkëpunimit të tanishëm qëndron në përmasat dhe përmbajtjen e gjerë të bashkëpunimit para dhe paszgjedhor. (Vijon në faqen 2)