Banditët e Zogut gjakosin Tiranën
Berisha dhe PD nxitës e mburojë e krimit
Deklaratë e kryeministrit të qeverisë së Pajtimit Kombëtar, z. Bashkim Fino
Mos merrni përgjegjësinë e veprimeve të tjera të paligjshme
Në vend që të qetësojë e pajtojë, këto ditë kryetari i Partisë Demokratike dhe Presidenti në largim i vendit, Sali Berisha, po nxit nga njëra forcë politike e ekstremistë të tjerë të papërgjegjshëm të përgatisin e të organizojnë demonstrata, tubime e protesta të tjera të paligjshme. Këta ekstremistë në bashkëpunim me elementë të inkriminuar, kanë organizuar mbrëmë një grumbullim ilegal pranë selisë së PD-së, duke bllokuar rrugën dhe e kthyer atë në një miting të paautorizuar. Në tubimin e paligjshëm demonstruesit nuk janë ndaluar te kërkesat politike të njohura, por kanë marrë edhe forma të dhunshme të dënueshme me ligj. U sulmuan me gurë forcat e policisë e të rendit dhe u tentua të depërtohej me forcë në selinë e Qeverisë. U përdorën mjete e lëndë plasëse kundër godinës së Kryeministrisë. Nga ana e policisë u morën masa serioze, por forcat e rendit, të ndodhura në kushte të vështira dhe me synim për të mos acaruar gjendjen, u treguan tejet të vetëpërmbajtura.
Me veprimet e tyre të papranueshme dhe të rënda, demonstruesit kanë lënë të vrarë një oficer dhe një efektiv të policisë. Janë plagosur rëndë edhe dy ushtarakë të tjerë dhe disa policë. Këto akte terrori shpërfaqin qartë skenarët e organizatorëve për të bërë realitet klimën e destabilizimit dhe të kaosit të përgjithshëm që i nevojitet Berishës dhe ekstremistëve të tjerë pranë tij për të minuar procesin zgjedhor. U bëj thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e thirrjeve për hakmarrje e dhunë. Qeveria e Pajtimit Kombëtar dhe institucionet e tjera të shtetit janë të vendosura të mbrojnë rendin kushtetues, zgjedhjet e lira dhe jetën e qytetarëve. Çdo veprim i paligjshëm do të marrë ndëshkimin që parashikon ligji.
(RDP) Skene nga mbrëmja e djeshme në qendër të Tiranës