Ngushtohet rrethi i mashtrimit
Pas një projekt-vendimi të Qeverisë për transparencën e firmave piramidale
Administratore edhe tek VEFA. Skemë shpërndarjeje pas një konsensusi të gjerë
Pas një projekt-vendimi të Qeverisë për transparencën e firmave piramidale Ngushtohet rrethi i mashtrimit Administratore edhe tek VEFA. Skemë shpërndarjeje pas një konsensusi të gjerë “Deloitte & Touche” do të sondojë “brimën e zezë” të fajdeve shqiptare. Ministria e Financave njoftoi që se kompania prestigjoze ndërkombëtare e administrimit “Deloitte & Touche”, është fituese e tenderit për administrimin e pesë kompanive më të mëdha që kanë marrë hua nga publiku i gjerë. Pas një kalvari të gjatë, që për mëse dy vjet mbajti pezull vëmendjen, energjitë, shpresat dhe kursimet e shqiptarëve, zbardhja e skemave piramidale ka mbërritur në një pikë zgjidhjeje. E vërteta, cilado qoftë ajo, do t’i japë fund një ankthi pa fund, me plot trishtim social. Një bilanc i thjeshtë në përfundim të transparencës, do të sqarojë detyrimet e kompanive huamarrëse ndaj publikut si dhe mundësitë financiare, deri tani hipotetike, të shlyerjes së tyre. Një vijë e kuqe dhe deklaratat pompoze të kompanive, pse jo dhe spekulimet për të fshehur krimin politik, do të shfaqen të koncentruara në një shifër të vetme. Mijëra kreditorë urojnë që kjo shifër të jetë në favor të tyre, çka do të ishte edhe në favor të së ardhmes të kompanive përkatëse. Qeveria e re demokratike realizoi kështu hap pas hapi një angazhim të saj publik, se do të çonte deri në fund procesin e transparencës dhe se çdo qindarkë e siguruar do të shkonte në xhepat e kreditorëve të varfëruar nga një politikë absurde. Ky hap është sinkron dhe me angazhimet e saj ndërkombëtare për ta futur ekonominë shqiptare në skemën ekonomike reale, që ia jep siguri përdorimit efektiv programit të ndihmave. Me këtë rast, Ministri i Financave Malaj siguroi kreditorët e shumtë se të gjitha pasuritë e firmave piramidale, që do të mblidhen gjatë transparencës, do të përfshihen në një skemë shpërndarjeje për kreditorët. Kjo skemë do të aprovohet me ligj. Pasi të sigurohet një formacion i plotë mbi veprimtarinë e kompanive, skema e shpërndarjes do t’i nënshtrohet një konsensusi të gjerë, në mënyrë që autoritetet të vendosin për formën e shpërndarjes. Ministri Malaj nënvizoi se dikasteri i financave është i hapur ndaj çdo sugjerimi për këtë gjë, që mund të përshpejtojë, në mbrojtje të interesave të kreditorëve. Do të jetë kjo skemë proporcionale, apo e favorizimit të kreditorëve më të vegjël, që mendohet se përbëjnë grupin më të madh të kreditorëve, kjo do të vendoset pas një konsultimi të gjerë. Po një projekt-vendim i rëndësishëm i Qeverisë, ndez dritën jeshile për caktimin e administratorëve tek kompania VEFA. Sipas këtij projekt-vendimi, VEFA do t’i nënshtrohet kontrollit financiar dhe administrimit, të kryer nga një administrator i caktuar nga vetë kompania. Kjo jo, sepse, sipas dosjes gjyqësore, VEFA ka kohë që ka ndërprerë pagesat ndaj kreditorëve të saj. Në mbështetje të këtij projekt-vendimi janë edhe vendime të gjykatave për plotësimin e kontratave, si dhe peticione të bëra nga sipërmarrësit dhe komitetet e kreditorëve. Në favor të këtij hapi është edhe fakti se kjo kompani ka shmangie nga parimet e njohura të financës, të detyrueshme për zbatim. Për një transparencë të plotë dhe korrekte qeveria miratoi dje edhe një projekt-vendim për “Regjistrimin e kreditorëve për efekt deklarimi të depozitave në shoqëritë huamarrëse”. Publiku i gjerë do të ketë mundësi që nëpërmjet zyrave të agjencive të punësimit të deklarojë shumën e parave të investuara në këto firma. Kryezëmi i dokumentave i pret rrugën çdo manipulimi të mundshëm. Shqyri Meka