Nuk e nisim mijëvjeçarin pa kushtetutë
Nga Ilir Meta Në pak ditë Shqipëria do të jetë pranë një prove të madhe. Pas 4 vjetësh shqiptarët do të ushtrojnë përsëri të drejtën për t’u shprehur, për dokumentin themeltar të shtetit të tyre. Referendumi do t’i japë Kushtetutës legjitimitetin dhe votimi për të është shprehje e angazhimit qytetar të gjithsecilit prej nesh. Po ku ndryshon ky votim nga ai i mëparshmi? Argumentat janë të njohura dhe shqiptarët dëshmitarë të një realiteti tërësisht të ndryshëm e pozitiv. Askush nuk mendon se kjo kush- Kushtetutë do t’i shërbejë një partie apo një njeriu për të marrë apo për të ruajtur pushtetin e përjetshëm. Shumëkush është i bindur në faktin se kjo Kushtetutë përbën përpjekjen me serioze të shqiptarëve, për të hartuar një dokument thellësisht demokratik, që nga koha e themelimit të shtetit të tyre të pavarur. Dokumenti themeltar është hartuar nën kujdesin dhe konsulencën e organizmave të specializuara ndërkombëtare dhe është shprehës i standarteve të larta demokratike. Konferenca Ndërkombëtare e Tretorit në Tiranë, veç të tjerash tregoi se Kushtetuta ka mbështetjen e gjithë faktorit politik ndërkombëtar, pasi ajo është e nivelit që ky faktor ka përcaktuar. Përpjekjet për të treguar mungesa, apo probleme ligjore në Kushtetutë nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të mashtruar opinionin e brendshëm e ndërkombëtar, që bëhen për kredibilitet politik e për të krijuar mjegullën e përfshirjes në proces, pasi ai ka përfunduar. Pse Kushtetuta është shans për shqiptarët? Për të treguar se edhe ata aspirojnë ndërtimin e një shteti të vërtetë demokratik. Për të treguar se edhe shqiptarët kanë dëshirën e madhe për të krijuar një shtet të mbështetur në ligj. Për të treguar se edhe shqiptarët kanë aftësi intelektuale për të krijuar vlera. Për të treguar që edhe shqiptarët dëshirojnë t’u lënë fëmijëve të tyre një vend të stabilizuar e të qetë. E për të gjitha këto shqiptarët në 22 nëntor do të shkojnë të votojnë për Kushtetutën e re me bindje se po votojnë për jetën e tyre, për fëmijët e tyre, për një të ardhme më të mirë. Shqipëria nuk mund të nisë përsëri nga Kushtetuta. Ajo po vjen.